Prishja e marrëdhënies mes mesfushorit spanjoll, Iscos, dhe trajnerit të Real Madridit, Santiago Solarit, nuk është as e para dhe as e fundit herë që një gjë e tillë ndodh në Real Madrid. Këtë gjë e dëshmon historia e klubit madrilen.

 

Në futboll, për dallim nga sportet individuale, fati i një atleti varet shumë nga trajneri i klubit. Përderisa Solari thotë se atij i pëlqen Isco, faktet e thonë të kundërtën, pasi që 26-vjeçarit nuk po i besohet një vend në formacionin e parë, që e kishte gjatë kohës kur trajner ishte Julen Lopetegui, transmeton Gazeta Express.

Disa nga divorcet te “Los Blancos” janë ende tema shumë të ndjeshme për tifozët e klubit, siç dëshmohet edhe nga komentet që i bëjnë për njëri-tjetrin Iker Casillas dhe Jose Mourinho. Ndërsa, rastet si ai i David Beckhamit dhe Fabio Capellos patën fund të lumtur, pasi futbollisti anglez u kthye në skuadër dhe i ndihmoi trajneri italian ta fitojë titullin.

Disa raste u vendosën edhe para se të fillonte sezoni, si në rastin kur Jorge Valdano i kishte thënë Ivan Zamoranos se ai nuk e donte atë në skuadër. Megjithatë, kiliani kishte përfunduar si titullar në rrugëtimin e Real Madridit drejt titullit.

Në anën tjetër, Vicente del Bosque e la Casillasin në bankën rezervë dhe e futi atë në ndeshje vetëm kur Cesar Sanchez pësoi një lëndim. Mirëpo, tani këta të dy kanë marrëdhënie shumë të mira dhe Casillasi kishte qenë portieri i parë i Spanjës së Del Bosque në garat si Kupa e Botës 2010 dhe Kampionati Evropian 2012.

Ajo që po ndodh për momentin me Iscon është e ngjashme me atë që kishte ndodhur me Zinedine Zidanen dhe James Rodriguezin. Francezi nuk e lejoi kolumbianin të bëhej pjesë e rëndësishme e skuadrës së tij, ashtu siç pritej nga James për shkak të 75 milionë euove që paguan “Los Blancos” për të në vitin 2014. Tani, kolumbiani është i huazuar në Bayern Munich.

E ardhmja e Iscos është e pasigurt pasi që ai nuk është i kënaqur me situatën aktuale në klub. Spanjolli ishte titullar ne vëtëm dy nga 16 ndeshjet e Solarit deri më tani. Një gjë e tillë nuk po ndodh për herë të parë në Santiago Bernabeu dhe këto janë disa nga rastet që kanë ndodhur më parë:

  • Valdano – Zamorano: Trajneri nuk e donte atë, por ai rezultoi të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën
  • Del Bosque – Casillas: Zëvendësues deri kur u lëndua Cesar në finalen e Ligës së Kampionëve
  • Capello – Beckham: Anglezi u detyrua të stërvitej i vetëm për një muaj, mirëpo u kthye për ta fituar ligën
  • Pellegrini – Guti: I dënuar për dy muaj pas përleshjes në Alcorconazo
  • Mourinho – Casillas: Incidenti më i madh në epokën e Mourinhos në Bernabeu
  • Zidane – James: Kolumbiani i shkaktonte dhimbje koke trajnerit francez