Ish-futbollisti i Espanyolit, Moises Hurtado, i
cili tani është trajner i akademisë së të rinjve në klub, ka pohuar se Luis
Suarez duhet të pezullohet përjetë nga futbolli, për shkak të penalltisë
kontroverse e fitoi në fitoren e Barcelonës kundër Lyonit të mërkurën në Ligën
e Kampionëve.

Në pjesën e parë
të triumfit 5:1 të Barcës në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Camp Nou,
gjyqtari Szymon Marciniak akordoi penallti për vendasit për një ndërhyrje të
Jason Denayerit në Suarezin – një vendim që u mbajt edhe pas rishikimit të
incidentit në VAR – edhe pse xhirimet e ngadalësuara sugjeronin se ishte në
fakt sulmuesi uruguaian ai që shkaktoi faull në mbrojtësin, transmeton AGzeta
Express.

Në një postim në rrjetin social Twitter, të publikuar pas incidentit, Hurtado shkroi i zemëruar: “Ja Luis Suarez… një lojtar i cili duhet të pezullohet përjetë nga futbolli për shkak se gjithmonë tenton ta mashtrojë gjyqtarin, dhe duke bërë kështu, me apo pa VAR, e dërgon skuadrën e tij me një këmbë në rundin tjetër”.