Milot Rashica pritet të udhëtojë sot drejt Prishtinës për t’iu bashkuar ekipit kombëtar të Kosovës të hënën, në formën e tij jetësore.

Rashica shënoi
gol në fitoren e Werder Bremenit 3:1 kundër Bayer Leverkusenit në Bundesligë të
dielën në BayArena. Kosovari 22-vjeçari është lojtari më në formë në ligën
elitare gjermane bashkë me Robert Lewandowskin e Bayern Munchut në vitin 2019,
shkruan Gazeta Express.

Rashica e shënoi
golin e dytë të Bremenit në minutën e 37-të, në fitoren kundër Leverkusenit,
para se të zëvendësohej nga Harnik në minutën e 65-të.

Në shtatë
paraqitje në Bundesligë për Bremenin në vitin 2019, Rashica i ka realizuar po
gjashtë gola.

Vetëm Lewandowski
ka bërë më mirë se ai, duke shënuar shtatë gola dhe dhuruar tri asiste.

Forma shumë e mirë
e futbollistit nga Vushtrria vjen në një kohë kur Kosova e nis fushatën
kualifikuese për Kampionatin Evropian EURO 2020. Ai ishte ndër lojtarët kyçë të
Bernard Challanges në ecurinë historike të vendit në Ligën e Kombeve.

Tani, Rashica
rikthehet në formë edhe më të lartë dhe gati për t’i ndihmuar vendit në përpjekjet
e tij për ta siguruar kualifikimin historik në EURO 2020.

Kombëtarja e Kosovës
do të mblidhet nesër në kryeqytet, për t’i nisur stërvitjet për dy ndeshjet e
marsit.

Verdhekaltrit e presin Danimarkën në një ndeshje miqësore më 21 mars në “Fadil Vokrri”, para se ta nisin fushatën e kualifikimeve kundër Bullgarisë më 25 mars po ashtu në kryeqytet. /Gazeta Express/