Jurgen Klopp ishte kritikuar shumë për mos inkuadrimin e Xherdan Shaqirit në ndeshjet e Liverpoolit, pavarësisht formës së mirë që po e gëzonte.

Tani po del se Klopp dhe Shaqiri kanë pasur një zënkë që ndikoi në mosinkuadrimin e Shaqirit në shumë ndeshje.

Analisti i rrjetit të famshëm televiziv të sportit ESPN, Paul Mariner, pretendon se trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk e inkuadroi në lojë mjaftueshëm Xherdan Shaqirin gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar pasi që ata të dy ishin zënë mes vete, përjell express.

Para se të fillonte viti 2019, Xherdan Shaqiri kishte arritur t’i shënonte gjashtë gola në Premierligë për Liverpoolin, përfshirë këtu dy golat që i dha në fitoren kundër Manchester Unitedit në Anfield.

Kjo ndeshje rezultoi të jetë e fundit për Jose Mourinhon si trajner i Manchester Unitedit dhe dhjetë ditë më vonë Shaqiri e shënoi edhe golin e tij të fundit për sezonin 2018/19, në fitoren 4:0 kundër Neëcastle.

Hera e fundit që Shaqiri ishte titullar për Liverpoolin ishte në barazimin 1:1 me Leicesterin në shtëpi, në fund të janarit. Në fakt, ai nuk luajti në asnjë ndeshje tjetër si titullar deri në fitoren 4:0 kundër Barcelonës.

Kloppi nuk i dha Shaqirit mundësi të luajë as nga stoli në ndeshjet mes 24 shkurtit dhe 26 prillit. Ai hyri në minutën e 90-të në ndeshjen kundër Chelseat në mes të prillit, por ky ishte vetëm një tentim i Kloppi për t’i humbur Chelseat kohë. Shaqiri u emërua në stol për 11 ndeshje radhazi gjatë asaj periudhe dhe nuk u përdor nga trajneri gjerman asnjëherë.

Dhe analisti i ESPN e ish-mbrojtësi i Arsenalit, Mariner, beson se mungesa e Shaqirit erdhi për shkak të një zënkë që e patën këta të dy mes vete.

“Ku ke nevojë ta përforcosh skuadrën dhe sa je i gatshëm të shpenzosh për ta përforcuar skuadrën e nivelit të Liverpoolit që është kampion i Evropës?”, ka thënë Mariner.

“Duhet të tregohesh strategjik. Shikoni çfarë bëri ai vitin e kaluar me Shaqirin, e bleu për 13 milionë funte – lëvizje gjeniale. Ai nuk luajti shumë në pjesën e dytë të sezonit të kaluar sepse e kishte një zënkë me të. Por, hyri në lojë disa hera dhe bëri gjëra të mira”.

Shaqiri për momentin është i lënduar – lëndim ky që e pësoi sa ishte në detyrë për ekipin kombëtar të Zvicrës – dhe Kloppi nuk e ka konfirmuar në media se sa kohë do t’i duhet 27-vjeçarit për t’u rikuperuar.