Kusari – Lila thotë se është lajm i mirë konfirmimi i Departamentit të Shtetit në krizën që po kalon Kosova

Deputetja nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila në Interaktiv ka thënë se është lajm i mirë nga ana e Departamentit të Shtetit se nuk ka marrëveshje sekrete ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka ngritur paralelizma ndërmjet LDK-së në vitin 2014 kur ishte tërhequr nga VLAN-i, me atë të djeshmen.

“Duke dëgjuar Selmanajn seç më erdhi një kujtim i vitit 2014 kur ishim bashkë në opozitë dhe ishim në përpjekje për formimin e Qeverisë të njohur si VLAN. Tërheqja e LDK-së ishte presioni i Gjermanisë dhe ishte bindur se Mustafa duhej të ishte kryeministër. Tani situata pothuajse përsëritet, por me një partneritet tjetër SHBA-në, e në anën tjetër me Francën e Gjermaninë që i kërkuan demarsh LDK-së. Sonte Selmanaj e konfirmoi se drejtpërdrejt do të jenë të varur nga Lista Serbe”, është shprehur ajo.

  

Ajo shtoi se reciprociteti është i shkruar edhe në marrëveshjen e VV-LDK.

“Gjatë gjithë kohës sa kanë qenë duke e negociuar marrëveshjen kanë qenë të afërm me të gjithë ambasadorët. Nuk flasim për një marrëveshje që ka qenë e mbyllur. Reciprociteti si i tillë nuk thotë se Serbia do të jetë e diskriminuar në raport me shtetet e tjera”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo e ka cilësuar lajm të mirë reagimin e Departamentit të Shtetit ku ka mohuar se ka marrëveshje sekrete ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

  

“Kjo është lajm i mirë dhe konfirmim i nevojshëm në një kohë kritike për Kosovën. Ajo i bie që në fakt se kemi ndryshim të planit nga ajo se çfarë është diskutuar. Në fakt është zoti Thaçi i cili ka thënë se duhet të ketë ndryshim kufiri”, ka thënë ajo

Kusari – Lila thotë se kontradikta më e madhe ishte bashkëpunimi i LDK-së me AAK-në.

“Në krejt këtë absurditet që u krijua dje ekziston kontradikta më e madhe e mundshme. LDK-ja vrapon te një parti që e ka vendosur taksën – AAK. E te Limaj për një koalicion të pakicës shqiptare. Shumë më i afërt është qëndrimi i Kurtit për taksës se sa i AAK-së”, ka thënë Kusari-Lila.

  

Sipas saj LDK-jaka ndryshuar qëndrimet nga ajo çfarë kishte thënë në fushatë.

“Qeveria ka rënë në mocion të mosbesimit. Si mundet të jetë ndryshe kur partia e dytë tërhiqet. Ata mund ta kenë planin por sa e kenë legjitimitetin demokratik për të bërë atë. Këta kanë prezantuar një kandidate si Vjosa Osmani dhe me programin e saj kanë fituar vota, duke bërë fjalë të mëdha se nuk hyjnë në koalicion me partitë e PAN-it. Është e vërtet se ka pasur tensione e bashkëpunim të vazhdueshëm. Derisa tash kemi një ndryshim diametralisht të kundërt nga ajo çfarë është thënë në fushatë, apo para disa muajve”, tha ajo.

Sipas Kusari-Lilës ajo çfarë ndodhi dje në seancë është e turpshme, “pasi për 13 orë ishim të mbyllur ndërmjet kësaj krize të pandemisë. Në dy javët e ardhshme ne rrezikojmë shëndetin tonë e të familjes tonë”.

  

Ajo thotë se pas koronavirusit sovrani duhet ta thotë fjalën e tij.

“Qytetarët e kanë shumë të qartë si brenda dhe jashtë Kosovës se çfarë po ndodh e kjo varet kur sovrani i drejtohet kutive. Ne duhet të orientohemi te kutitë e votimit kur të kalohet kjo situatë. Shumë pak po dëgjoj të flitet për menaxhimin e situatës me covid-19”, u shpreh Kusari-Lila.

Tutje ajo foli edhe për fjalimin e djeshëm në Kuvend, duke thënë se ishte një mesazh për vajzat dhe gratë se nuk duhet të zmbrapsen edhe nëse marrin ofendime të tilla.

  

“Një prej fjalimeve që nuk e kam përgatitur më herët dhe ajo ka qenë ajo çfarë kam ndier dhe ajo se çfarë duhet të përcjellë. Në momentin kur u prezantua kontradikta kur Mustafa u takua me Haradinajn, ky ishte një prezantim i fakteve se si kemi ardhur në këtë pikë. Kur në gjitha këto argumente nuk kishte kundërargumente atëherë Haradinaj më ofendoi”, tha Kusari-Lila.