
Drenica ka marrë fitore paksa befasuese në udhëtim kundër Llapit.
Skuadra e Drenicës ka shënuar fitore tejet të rëndësishme, në kuadër të xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës.
Drenica mposhti Llapin në udhëtim, me rezultatin 0:2, falë një paraqitje të mirë të Alban Shillovës, shkruan lajmi.net.
Shillova gjeti golin fillimisht në minutën e 28’, kur u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Tre minuta para fundit të pjesës së parë, Shillova me golin e dytë personal vulosi fatin e fituesit të këtij takimi, njëkohësisht rezultatin final.
Labinot Osmani mund të ngushtonte epërsinë në minutën e 86′ dhe të kthente Llapin në lojë, por goditja e tij nga pika e bardhë e penalltisë shkoi lart mbi portë.
Pak minuta më vonë, Drenica mbeti me 10 lojtarë në fushë, kur në minutën e 89′, Armend Abazi u ndëshkua me karton të kuq ( i dyti i verdhë).
Me këtë fitore, Drenica ngritët në 34 pikë, duke u shkëputur nga zona e rrezikut, kurse Llapi mbetet në 37 pikë për pozitën gjashtë. /Lajmi.net/