MOSHAT U-19/ Tirana thyhet mes tensionit, një penallti shkakton kaos në Shënkoll. Ja rezultatet dhe verdiktet

Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti në fundjavë ndeshjet e javës së 17-të, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara në të dyja grupet A dhe B: 

Shenkolli u19

Fiton Shënkolli, arbitri çmend bardheblutë

Skeda Shenkolli

Shënkolli ka triumfuar ndaj Tiranës me shifrat minimale 1-0, në një takim ku nuk ka munguar tensioni, pasi bardheblutë i kontestuan ashpër gjyqtarët nga Shkodra. Një penallti vendosi fatin e kësaj ndeshjeje, teksa u kthye në gol nga Daija. Takimi ka nisur i qetë, por shumë shpejt ishin të rinjtë bardheblu që morën frenat e lojës në dorë.

Gjithsesi, me kalimin e minutave, edhe Shënkolli bëhet i rrezikshëm, por pjesa e parë mbyllet 0-0. Fraksioni i dytë nisi me një 11-metërsh për Shënkollin, që u kontestua nga të rinjtë bardheblu. Ishte portieri i Tiranës ai që në nerva e sipër godet me top një futbollist të Shënkollit dhe kjo shkaktoi përplasje mes ekipeve.

Megjithatë, stafet respektive e qetësuan gjendjen dhe situata nuk precipitoi, pavarësisht se bardheblutë u shokuan nga vendimi i arbitrit. Daija u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë një fitore të madhe Shënkollit, që ashtu si Tirana, tashmë siguron një vend në zonën “play off”. /Preng Gjikola/

 

Partizani, jashtë 4-shes

partizani5

Partizani mbetet jashtë katërshes A pas shumë vitesh. Edhe në ndeshjen e parafundit, të kuqtë u mposhtën nga Dinamo, që mbyll tabelën e klasifikimit dhe pas kësaj fitoreje shpreson të mbijetojë në Superiore. Edhe pse në disavantazh 0-2, pasi kanë pësuar dy gola nga Qyra e Karakushi, Dinamo përmbysi gjithçka me Mijën, Peshkun dhe Bardhin. /Abdulla Dushku/

 

Vllaznia, ende në lojë

shkd dr

Vllaznia ka fituar me rezultatin e pastër 0-3 ndaj Shkëndijës së Durrësit, duke qenë ende në lojë për një vend në zonën “play off”. Aktualisht ekipi shkodran është 2 pikë më pak se Laçi, që ndodhet i katërti. Nikaj kaloi në avantazh kuqeblutë që në minutën e 7-të, ndërsa Pusi dyfishoi më pas. Në pjesën e dytë shënoi edhe Asllani. /Zamir Qypi/

 

Teuta, si kokë grupi

teuta 2-2

Teuta nuk e mposht dot Akademinë e Futbollit, por është kampionia simbolike e Grupit B pas 17 javësh kampionat. Muka shënoi i pari, por Karakushi barazoi pa u mbyllur pjesa e parë. Më pas dyfishoi Cenaj për vendësit, ndërsa në frymën e fundit ishte sërish Karakushi që vulosi shifrat 2-2. Durrsakët e kanë siguruar me kohë zonën “play off”. /Zamir Qypi/

 

Besa, në “play out”

besa 2-4

Besa është mposhtur në fushën e vet nga Elbasani 2-4 dhe tashmë ka vetëm një shans për t’i shpëtuar rënies nga Kategoria Superiore për U-19. Kavajasit janë të fundit në Grupin B dhe do të luajnë me vendin e nëntë të Grupit A një ndeshje shtesë për të vendosur qëndrimin në kategori. Ndërkohë, Elbasani mori një fitore me përmbysje në Kavajë. /Feriz Ferizaj/

 

Internacionali, super

aas

Internacionali ka arritur një fitore të madhe në Shkodër një javë para fundit të kampionatit. Skuadra e Ardi Beharit, jo vetëm që ka siguruar “play off”-in, por tashmë ka shansin ta mbyllë në krye të Grupit A, pasi është vetëm një pikë më pak se Tirana. Në javën e fundit Internacionali pret Termin, ndërsa Tirana luan derbin ndaj Partizanit. /Admir Uruçi/

 

Shkëndija nuk fal

shk tr

Shkëndija e Tiranës ka mposhtur Luftëtarin me shifrat 4-1 dhe ka hipotekuar pjesëmarrjen në zonën “play off” një javë para fundit të kampionatit. Skuadra që drejtohet nga Endri Vrapi ka marrë një fitore jo pak të vuajtur, edhe pse rezultati në fund ishte i thellë. Pas golit të Nikollës në minutën e 16-të, gjirokastritët reaguan me anë të Çelos, duke barazuar përkohësisht. /A.Dushku/

 

Laçi, drejt “play off”

termi 0-3

Laçi është vetëm një ndeshje larg zonës “play off”, që do të ishte një sukses i madh për të rinjtë kurbinas. Në ndeshjen ndaj Termit, skuadra e drejtuar nga Eduard Tanushi ka arritur të fitojë pastër në transfertë me shifrat 0-3. Dopieta e Selmanit ka vendosur këtë takim, ndërsa goli i Kasmit ka plotësuar triumfin e merituar të bardhezinjve. /Abdulla Dushku/

Flamurtari ka shpërthyer me 7 gola në ndeshjen ndaj Pogradecit, e cila u zhvillua të premten në fushën e Pyllit të Sodës në Vlorë. Skuadra e Fjodor Xhafës shpreson të jetë në “play off”, në një kohë që aktualisht është në vendin e katërt, por që pret të mësojë edhe rezultatin e ndeshjes së rivalëve, Skënderbeu-Apolonia, që do të luhet të mërkurën.

 

Flamurtari, 7 gola për të… shpresuar

Në takimin kundër Pogradecit, që në pjesën e parë vlonjatët shënuan tri herë. Lejdi Gjoka hapi serinë e golave, ndërsa më pas dyfishoi Ledjon Qelaj. Pjesa e parë u mbyll 3-0 pas golit të Reinaldo Mukojit. Edhe pjesa e dytë nisi me gol, ku Barjon Aliaj i çoi shifrat në 4-0. Flamurtari u tregua i pamëshirshëm, pasi Kristian Çakërri, Kevin Shakaj dhe Vangjel Gjipali realizuan gjithashtu nga një herë secili, për ta çuar rezultatin përfundimtar në 7-0. Javën e fundit vlonjatët do të luajnë në transfertë ndaj Luftëtarit. /E.Gabaj/

 

Pesë ekipe sigurojnë një vend në “play off”

Kur mbetet për t’u luajtur edhe një javë kampionat, pesë skuadra kanë siguruar tashmë një vend në “play off”. Siç dihet tashmë, katër skuadrat e vendeve të para në Grupin A dhe Grupin B, do të diskutojnë mes tyre titullin kampion në fazën “play off”.

u19 renditja

Ndërsa ekipet që pozicionohen në vendet 9 dhe 10 të dy grupeve, do të luajnë mes tyre për të diskutuar qëndrimin në kategori. Pas 17 javësh kampionat, ekipe si Tirana, Internacional, Shënkolli, Teuta dhe Shkëndija e Tiranës, e kanë siguruar një vend në “play off”.

u19b

Për Grupin A gara për të përcaktuar ekipin e katërt është mes Laçit dhe Vllaznisë, teksa shkodranët rrezikojnë të mbeten jashtë. E hapur është gara për dy vende në Grupin B, me Apoloninë, Flamurtarin dhe Skënderbeun që do të mësojnë fatin e tyre vetëm në javën e fundit, pikërisht më 21 qershor. /A.Dushku/

 


Most Popular

MOSHAT U-19/ Tirana thyhet mes tensionit, një penallti shkakton kaos në Shënkoll. Ja rezultatet dhe verdiktet

Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti në fundjavë ndeshjet e javës së 17-të, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara në të dyja...

Ish-interisti Rekoba “tradhton” zikaltërit: Lautaro, shko te Barcelona!

Paraqitja negative e Lautaro Martinezit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Napolit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar zërat e merkatos...

E dhimbshme/ Po lufton me sëmundjen e rëndë, klubi belg i rinovon kontratën portierit

Gjesti i klubit belg të Cercle Bryzh, është duke bërë xhiron e mediave Europiane. Drejtuesit vendosën t’i rinovuar kontratën portierit Migel Van Dame, i...

EKSKLUZIVE/ Skënder Gega trajner i lirë, vendosi të prishë kontratën me klubin jordanez sepse…

Skënder Gega nuk do të jetë më trajner i skuadrës jordaneze Al Faisaili. Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar edhe arsyet e prishjes së marrëveshjes...

Recent Comments