Home Histori Raporti për Ramizin në ‘67-ën: Ja dokumentat e rralla, librat, dosjet, reliket dhe fondin e bibliotekave, që i’u sekuestruan religjoneve fetare

Raporti për Ramizin në ‘67-ën: Ja dokumentat e rralla, librat, dosjet, reliket dhe fondin e bibliotekave, që i’u sekuestruan religjoneve fetare

0
Raporti për Ramizin në ‘67-ën: Ja dokumentat e rralla, librat, dosjet, reliket dhe fondin e bibliotekave, që i’u sekuestruan religjoneve fetare

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dy dokumente arkivore të panjohura me raportet që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Shqipotar, ia dërgonte Ramiz Alisë në vitin 1967-të, ku e inforomonte për dokumentacionin arkivor, fondin bibliotekar me libra, revista dhe gazeta, si dhe mjaft objekte të rralla me vlera të mëdha historike që u ishte sekuestruar religjoneve fetare në Shqipëri, pasi regjimi komunist kishte ndalur me ligj besimin fetar dhe ua kishte rrëmbyer me dhunë me mijëra dosje me dokumentet e rralla, si: libri i vitit 1745 i shtypur në tipografinë e Voskopojës në gjuhën greke, ku ishin dhe 29 mallkime në gjuhën shqipe, dekreti i sulltan Abdyl Mexhidit i vitit 1839, që u gjetën në Mitropolinë e Korçës, e deri te koleksionet e plota të “Fjamuri i Arbërit” të De Radës, “Albania” e Faik Konicës, dokumente të Fishtës, Mjedës, dhe korrespondenca e rrallë e Nolit me personalitete të kohës, që u sekuestrua në Kishën Ortodokse të Durrësit.

Gjatë një bisede me Dom Frano Illia, në vitin 1991, i cili sapo kishte dalë nga bu, rgu i gjatë dhe ishte strehuar te familja e Filip Markut, aty në qytetin e Laçit, ku ai pati shërbyer si famullitar deri në vitin 1967, kur u arr, estua dhe u dënua me 25 vite bu, rg politik me akuzën “armik i popullit”  ndërmjet të tjerash në rrëfimin e tij për vuajtjet dhe pers, ekutimin e gjatë që ai kishte kaluar në bu, rgjet e regjimit komunist me butësinë që e karakterizonte, Dom Frani u mendua pak dhe tha: “Nëse ke mundësi, me m’u interesua dikund ku t’mujsh, a me shkrue diça n’gazet, se ku mund t’i gjej do përkthime që kam pas ba të “Illyrici Sacri”, vëllimin e shtatë. Ja kam pas dorzu zotni Rrok Zojzit, te Instituti i Kulturës Popullore, me men me i botue, do koha para se me më shti n’bu, rg, dhe s’di se ça do t’jet ba me to…”?!

Pas kësaj, Dom Frani filloi të më tregojë diçka nga ai përkthim që kishte bërë vite të shkuara, mes të tjerash edhe punën e qerres që ishte mbytur në Drin, duke transportuar për në qytetin e Shkodrës të gjithë arkivin me dokumentacionin që ishte mbledhur në të gjitha kishat katolike të Veriut të Shqipërisë, arkiv i cili do përcillej për në Vatikan. Gjë për të cilën Dom Frani thoshte se: ishte një nga humbjet më të mëdha që kishte pësuar Shqipëria ndonjëherë, që nga krijimi i shtetit të Arbrit, pasi pikërisht në atë qerre (apo karvan), ndodhej e dokumentuar një pjesë e madhe e historisë së Shqipërisë. Fatkeqësisht kjo ngjarje do të persëritej disa shekuj më vonë, por tashmë jo me qerren apo karvanin që u mbyt në lumin Drin me arkivat e klerit katolik, por nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në vitin 1967-të, me goditjen që i bëri religjoneve fetare. Gjë e cila nuk pati vetëm pasoja shkatërruese shpirtërore, por edhe materiale me vlera të pallogaritshme, siç ishin djegia në zjarr e mjaft objekteve fetare që përbënin vepra arti, si ikonostase, relike, piktura etj., e deri te materiali dokumentar arkivor dhe bibliotekar.

Siç ndodhi konkretisht në kishën e Laçit në vitin 1967, pikërisht aty ku kishte pasur rastin të shërbente dhe Dom Frano Illia. Dhe ajo pasuri dokumentare e rrallë dhe me vlera të jashtëzakonshme që mbeti nga shkatërrimet vandale e dhuna ndaj objekteve të kultit në vitin 1967-’68-të (gjë e cila kishte filluar që në vitin 1945 me dënimet e klerikëve), u sekuestrua nga shteti dhe nuk dihet se si dhe ku përfundoi. Kjo gjë tregohet qartë dhe mësëmiri edhe nga këto dy dokumente arkivore, që po i botojmë  në këtë shkrim.

Raportet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për Ramiz Alinë

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

DREJTORIA E PERGJITHSHME E ARKIVAVE TE SHTETIT

   Tiranë më 2.8.1967

Nr. 6/ 12

KOMITETIT QENDROR TE P.P. TE SHQIPERISE

  1. RAMIZ ALIA

PER DIJENI KRYEMINISTRISE SH. HAKI TOSKA

                      TIRANE

Sipas udhëzimit tuaj verbal, nga data 25 shkurt deri më 27 maj, kjo drejtori mori masat dhe dërgoi në Shkodër një ekip prej katër vetash, për grumbullimin dhe inventarizimin e materialit dokumentar dhe fondit bibliotekar të klerit. Ekipi i Drejtorisë së Arkivave, në punën e tij u ndihmua shumë nga Komiteti i Partisë së Shkodrës, si dhe nga Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Rrethit, të cilët e vlerësuan seriozisht këtë problem dhe treguan një kujdes të veçantë, duke e ndihmuar konkretisht ekipin për të gjitha problemet dhe nevojat që kishte. Materialet dokumentare të klerit në Shkodër, që ruheshin pranë dy kishave kryesore, si dhe ato të fondit bibliotekar, u bllokuan menjëherë dhe u tërhoqën pranë Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit Shkodër.

Nën drejtimin e ekipit të kësaj drejtorie, i gjithë materiali dokumentar i grumbulluar pranë Komitetit Ekzekutiv, si dhe fondi bibliotekar, u inventarizuan tërësisht, u sistemuan duke u përdorur kriteret e punës arkivore e u vendosën ndër arka të posaçme. Materiali dokumentar i grumbulluar nga dy kishat e Shkodrës, përbëhet prej 35 ml, që përbëjnë 1.270 dosje materiali dokumentar. Ky material dokumentar është i dy fondeve kryesore të Klerit Katolik, i Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe i Kuvendit Françeskan, dhe është një material arkivor me vlera të rëndësishme historike. Në këtë material një vend me rëndësi zënë regjistrat e pagëzimeve, vdekjeve, martesave etj., që kanë të dhëna demografike, ekonomike, financiare etj., si dhe shënimet mbi misionarët katolikë në Shqipëri.

Këta regjistra fillojnë nga shekulli XVIII e deri në ditët e sotme. Vlen të theksohet se një regjistër i vitit 1745, përveç shkrimeve latinisht e italisht, përmban edhe 29 mallkime në gjuhën shqipe. Grupi tjetër i rëndësishëm i dokumenteve, është korrespondenca e institucioneve klerikale mbi aktivitetin fetar, administrative e shoqërore. Kjo korrespondencë është krejtësisht e shekullit 19-20 dhe hedh dritë mbi marrëdhëniet e klerit me shtetin, me delegatin apostolik në Shqipëri, me “Propagandën Fide” të Vatikanit. Theksojmë se, mungon krejtësisht, korrespondenca e shkëmbyer ndërmjet institucioneve fetare dhe pushtuesve italo-gjermanë të vitit 1939-1944. Materialet e periudhës së pushtetit popullor janë të karakterit administrativ e financiar, kurse korrespondenca tjetër mungon.

Kështu, kjo formon një objekt kërkimesh të mëtejshme. Ndërmjet materialeve janë gjetur materiale dokumentare të Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit etj., si dhe dokumente të shoqërive të ndryshme, si: të “Shoqërisë letrare Bashkimi”, në 1901-1904, të shoqërive sportive “Bogdani”, “Rozafati” etj. Fondi bibliotekar i dy kishave, që përmendëm më lart, i grumbulluar, ka 10.000 volume. Ndërmjet tyre janë gjetur edhe koleksione të plota të gazetave “Fjamuri i Arbërit” i Jeronim de Radës, “Albania” e Faik Konicës, “Ora e Maleve” etj. Në qytetin e Shkodrës janë grumbulluar rreth 5 metra material të Klerit Mysliman, të cilat kanë karakter administrativ dhe financiar, po kështu dhe 2.500 vëllime në gjuhën turqisht, arabisht, persisht etj.

Gjatë kohës që ekipi i kësaj drejtorie punoi në Shkodër, u bë dhe grumbullimi i materialeve dokumentare dhe librave të bibliotekave të klerit në Pukë, Rrëshen e Lezhë. Njëkohësisht, gjatë kësaj periudhe, në bashkëpunim me organet e Partisë e të Pushtetit, është vazhduar të punohet për grumbullimin dhe inventarizimin e dokumenteve klerikale në rrethin e Tiranës, Durrësit dhe atë të Krujës. Edhe ndër institucionet fetare të këtyre rretheve janë gjetur dokumente të rëndësishme, dhe pjesërisht, të ngjashme me ato të Shkodrës. Ndër këto, me vlerë janë disa kodikë kishtarë të vjetër, dorëshkrime të vjetra letrare shqip me shkronja arabe, materiale mbi gjyqet e Sheriatit etj. Ndërmjet materialeve që u gjetën në Kishën Ortodokse në Durrës, vlen të përmendet një korrespondencë origjinale e Fan. S. Nolit, me persona të ndryshëm, si Faik Konica, B.Curri, Kostë Çekrezi, Shahin Kolonja, e të tjera shënime të përmbledhura gjatë veprimtarisë së tij në Lidhjen e Kombeve të viteve 1921-1923 etj.

Ndër materialet dokumentare që u grumbulluan, qoftë të klerit katolik, qoftë atij ortodoks ose mysliman, shpesh ka shkëputje praktikash, gjë që vërteton mungesën e një pjese të mirë materialesh dokumentare. Kjo gjë lë të dyshosh se kleri, dhe veçanërisht kleri katolik, i ka fshehur për qëllime të caktuara. Pavarësisht nga mungesat që përmendëm, ky material është një burim i pasur për kompletimin e fondeve klerikale, që ruhet në Arkivin e Shtetit, i cili ka një vlerë historike jo vetëm për rrethin ku ato u gjetën, por kanë një vlerë kombëtare. Për këtë propozojmë: Materialet dokumentare të grumbulluara në rrethet që përmenden, të përqendrohen në Arkivin e Shtetit, me përjashtim të regjistrave të gjendjeve civile (lindjeve, vdekjeve, martesave etj.), të cilat mund të qëndrojnë për një afat të gjatë në rrethin përkatës, mbasi për to ka mjaft kërkesa nga ana e popullsisë, por me kusht që ato të mbeten si pjesë përbërëse e fondit që ruhet pranë Arkivit të Shtetit.

Gjithashtu, propozojmë që, pranë kësaj drejtorie, sipas listës së bashkëngjitur, të mbeten disa botime që bëjnë fjalë mbi organizimin dhe veprimtarinë e klerit katolik në Shqipëri, dy koleksione gazetash, të cilat plotësojnë fondet ekzistuese të De Radës dhe Faik Konicës, si dhe të disa fjalorëve që na nevojiten për punën tonë të përditshme. Për sa i përket fondit bibliotekar, propozojmë që inventarët e Shkodrës, Pukës dhe Rrëshenit t’i jepen Bibliotekës Kombëtare, me qëllim që kjo të shikojë se çfarë i duhet për të plotësuar fondet e veta, kurse pjesa tjetër, ta përdorin për të pasuruar bibliotekën e rrethit përkatës dhe, kur ka tepër, mund të plotësohen edhe bibliotekat e rretheve të tjera. Ndërsa për inventarët e librave të rretheve të tjera, mendojmë të ngarkohet Biblioteka Kombëtare për t’i bërë dhe për të vendosur se ç’do të bëhet me to. Me këtë rast, vëmë në dukje se Komiteti i Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Rrethit të Durrësit, kanë shfaqur mendim se dokumentet e rrethit të tyre të mbeten atje.

Ne mendojmë që disa materiale dokumentare, që kanë krejtësisht karakter lokal, mund të mbeten në rreth, por tani për tani, përderisa nuk ka një institucion arkivor të rrethit, lënia e tyre atje nuk është e përshtatshme. Gjatë muajve të ardhshëm, kjo drejtori do të vazhdojë punën në këtë drejtim edhe në qytete të tjera kryesore, si Korçë, Berat, Gjirokastër etj., të cilat sipas udhëzimit të Kryeministrisë, kanë grumbulluar material dokumentar të klerit dhe libra. Bashkëngjitur, ju dërgojmë dhe inventarët e materialeve dokumentare të grumbulluara në Shkodër, Pukë, Rrëshen, si dhe inventarin e dokumenteve të Fan. S. Nolit, të gjetur në Kishën Ortodokse në Durrës.

DREJTORI

SKENDER HAJRO

……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

                                                                                                                                                 Tiranë më 8.9.1967

DREJTORIA E PERGJITHSHME E ARKIVAVE TE SHTETIT
Dega e Ruajtjes dhe e Shfrytëzimit Nr. 6/ 14

Nr. 6/ 12

 KOMITETIT QENDROR TE P.P. TE SHQIPERISE

  1. RAMIZ ALIA

Në vazhdim të detyrës për grumbullimin e materialeve dokumentare, kjo drejtori dërgoi një ekip prej dy vetash në Korçë për grumbullimin dhe inventarizimin e materialeve dokumentare dhe fondit bibliotekar të klerit. I gjithë materiali dokumentar i grumbulluar në Kishën e Mitropolisë u sistemua dhe u vendos në arka të posaçme, duke u ruajtur pranë Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit Korçë. Materiali dokumentar i grumbulluar në Kishën e Mitropolisë përbëhet nga 12 ml dhe është një material i rëndësishëm historik. Përveç regjistrave të vjetër të pagëzimeve, martesave, vdekjeve etj., që janë shumë të rëndësishme, me vlerë historike ka edhe dokumente të tjera, si p.sh. një libër me përmbajtje fetare në gjuhën greqisht, i shtypur në tipografinë e Voskopojës gjatë vitit 1744. Po kështu me rëndësi është dhe një dekret i sulltan Abdyl Mexhidit i vitit 1839, që flet mbi taksat, të dhjetat dhe rekrutimin e të krishterëve në ushtrinë otomane etj. Një grup tjetër dokumentesh të rëndësishme janë disa qarkore, udhëzime dhe korrespondencë ndërmjet Patrikanës së Stambollit dhe Mitropolisë për çështjen e arsimit dhe shkollave greke, për ngritjen, njohjen e shkollave nga ana e organeve qeveritare, porosi për futjen e gjuhës turke në shkollat greke, ndalimin e martesave të “rajeve”, (ortodoksë) me nënshtetësi të huaj etj. Ndërmjet të tjerave u gjend edhe një korrespondencë mbi vrasjen e dhespotit reaksionar grek Foti nga çeta e Bajo Topullit. Në qytetin e Korçës janë grumbulluar rreth 6.50 ml material të klerit mysliman, të cilat kanë karakter thjesht administrativ-financiar. (1916-1967) Bashkëngjitur ju dërgojmë inventarin e materialeve dokumentare të Kishës së Mitropolisë si dhe inventarin e librave.
DREJTORI

                                                                                                                  SKENDER HAJRO

Memorie.al