Home Histori 83 vite nga vënia e gurthemelit të Liceut Kombëtar të Korçës nga Thoma Turtulli

83 vite nga vënia e gurthemelit të Liceut Kombëtar të Korçës nga Thoma Turtulli

0
83 vite nga vënia e gurthemelit të Liceut Kombëtar të Korçës nga Thoma Turtulli

Më 15 prill 1937, filantropisti Thoma Turtulli vuri gurin e parë në themelet e godinës së Liceut Kombëtar të Korçës.

Liceu i Korçës

Në vitet 1934-1935 Turtulli do ta ngrinte në një shkallë më të lartë veprën e tij mirëbërëse ndriçimtare në udhën e qëndrueshme evolucionare të zhvillimit të Korçës dhe të mbarë vendit. Ishte fjala për ndërtesën e madhe, të bukur dhe solide të Liceut Kombëtar të Korçës, të Shkollës Industriale dhe të përfundimit të katedrales së atjeshme. Pasi dha ndihmën e nevojshme për përfundimin e katedrales, që kishte mbetur prej kohësh, ashtu e pa u mbaruar, Thoma Turtulli vuri në dispozicion të qeverisë shqiptare 40000 fr.ari për Shkollën industriale të Korçës. Këtë radhë dhurata e re doli publikisht në emër të bashkëshortes së tij Athinasë. Gazeta “Besa”, me anën e korrespondentit të saj në Korçë, bënte të ditur kënaqësinë e veçantë që kishte prodhuar lajmi për ngritjen e ndërtesës së re të Liceut. Ato ditë erdhi shpejt vlerësimi nga Oborri mbretëror. Mbreti Zog dekoroi zonjën Turtulli me urdhrin e Skënderbeut.

Plani përkatës ishte përgatitur nga Ministria e Punëve Botore, sipas instruksioneve të dhëna nga Ministria e Arsimit në janar 1936. Për të rakorduar përfundimisht me Ministrinë e Arsimit më 9 mars 1936, Thoma Turtulli i shoqëruar nga intelektuali i njohur korçar, Andon Frashëri, shkoi në Tiranë.Turtulli vuri në dispozicion për ndërmarrjen e re mirëbërëse 300 napolona flori. Ishte fjala për shkollën e mesme më të rëndësishme në Shqipëri, që përmblidhte nxënës nga të gjitha anët e vendit. Me ndërtesën e re shumë më të madhe se e vjetra, po ashtu edhe shumë më cilësore, do të shtohej numri i atyre të rinjve, të cilët përgatiteshin për zhvillimin mbarëkulturor të vendit. Për fat të keq, çështja po zvarrisej, sepse Ministria e Arsimit kërkonte që të zgjeronte kapacitetet e ndërtesës së projektuar mbi fondin e derdhur nga dhuruesi dhe donte që puna të niste sa më shpejt. Çështjen e zgjidhi prefekti i Korçës, Markë Kodheli, i cili u mor vesh me Ministrinë e Arsimit që, më vonë, ai dikaster mund të shtonte pavionet e nevojshme si: laboratorë, salla ngrënie etj.

Më 15 prill 1937, me një ceremoni të veçantë, u vu guri i parë në themelet e Liceut, ku përveç autoriteteve lokale dhe një pjese të popullit të Korçës, mori pjesë edhe i dërguari i mbretit, Inspektori i Përgjithshëm i Oborrit Mbretëror Xhafer Ypi. Në këtë kohë revista”Java”e kryeqytetit vlerësonte me superlativat më lavdëruese figurën, tashmë më madhore të mirëbërsisë shqiptare në shekullin e XX.”Në rrafshin shoqëror Thoma Turtulli ishte përjashtim , shkruhej aty, pse ishte më gjenerozi, midis gjenerozëve, më filantropi, midis filantropëve, më altruisti midis altruistëve…Nuk e ndjemë veten aq të përgatitur për të lavdëruar shpirtmirësinë e gjerë të mirëbërësit të madh shqiptar…Vetëm një gjë mund të themi, duke iu drejtuar njeriut më të pastër Thoma Turtulli:Kombi do të jetë mirënjohës”

Punët në ndërtesën e Liceut po ecnin me ritëm të shpejtuar në verën e vitii 1937 dhe muret po hidhnin shtat, por për fat të keq, Thoma Turtulli, në gusht ra në shtrat nga bronkopneumonia për të mos u ngritur më. Kishte marrë të ftohur kur shkonte shpesh për të ndjekur ecurinë e punimeve në ndërtesën e Liceut. Shqetësimi u përhap shpejt në të gjithë vendin. Me interesimin personal të Mbretit Zog, përveç nga Kryeqyteti, erdhën mjekë specialistë edhe nga Selaniku, por mjerisht, sëmundja kishte përparuar shumë dhe shpresat e shërimit shkonin duke u venitur. Pas katër muaj lëngate të rëndë, mirëbërësi i madh, i mbylli sytë për jetë, më 28 gusht 1937. Përveç Liceut të cilin nuk arriti ta gëzojë, ashtu të bukur e të madhërishëm për kohën, i mbeti edhe një peng tjetër:donte të ngrinte në Korçë një shtëpi për të moshuar. Nderimet e fundit iu bënë sipas meritës. Ceremonia e varrimit ishte madhështore në solemnitetin e saj. Një dhimbje të tillë, qyteti i Korçës nuk e kishte përjetuar kurrë më parë dhe një funeral si ai, nuk e kishte vështruar asnjëherë.

Atë ditë, Korça i jepte lamtumirën e fundit birit të saj të madh, kur edhe i gjithë tregu i uli qepenat dhe zyrat i mbyllën dyert në shenjë zie. Në kryeqytet, N/ kryetari i Parlamentit Hiqmet Delvina, pa hyrë në rendin e ditës të Kuvendit Kombëtar, e mori fjalën dhe tha:”E kanë marrë vesh të gjithë kolegët se Shqipëria, për fat të keq, ka humbur mirëbërësin e saj më të madh, mund të them, të vetmin mirëbërës, mbas indipendencës shqiptare, Thoma Turtullin. Nuk them se këtë mirëbërës e humbi vetëm Korça, ky nuk qe vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë. Me mirëbërësin dhe sakrificën e tij ai i ka dhënë mësim çdo shqiptari se, kushdo në mos mund të sakrifikojë jetën, në mos mund të bëjë okazion të derdhë gjakun për atdhe, ka edhe mjete të tjera të bëjë detyrën e tij”. Pastaj Parlamenti mbajti pesë minuta heshtje në nderim të kujtimit të Thoma Turtulli

Përgatiti Naishtedikur.info